Nuk janë modelë, janë çunat e Kombëtares Shqiptare

Nuk është diçka e re që futbollistët e njohur të veshin kostume të firmave të mëdha të modës e të pozojnë me një pamje shumë elegante. Po në ka një popull që e ka fiksim të vishet bukur, sidomos në ngjarje të veçanta, ata janë me siguri shqiptarët.

Ndërsa është hera e parë që Shqipëria merr pjesë në finalet e Kampionatit Europian, skuadra Kombëtare Shqiptare do të prezantohet me një veshje të personalizuar krijuar nga artisti Altin Mici, duke i dhënë çdo lojtari ndjenjën e krenarisë, besimit dhe komfortit me një veshje Made in Albania.

Në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, që në krye të herës u vendos që skuadra Kombëtare Shqiptare do të prezantohej me një produkt Made in Albania, ç’ka nxit tek lojtarët ndjenjën e patriotizmit dhe vetëvlerësimit.

Një veshje interesante me tre pjesë në tonalitete të grisë, krijuar në një kohë rekord prej dy muajsh, pas një pune të detajuar për marrjen e masave të çdo lojtari, duket se i rri perfekt çdonjërit prej tyre duke vënë edhe më në dukje individualitetin dhe sharmin e gjithsecilit prej tyre.

Çdo pjesë përbërëse e veshjes krijuar në formë ekzakte sipas specifikave të çdo lojtari, është realizuar nga stofrat më të mira duke përfshirë gjithashtu edhe logon zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Stilisti Altin Mici i njohur për dedikimin e tij ndaj zanatit dhe cilësisë së punës, shpreson se ky bashkëpunim do t’i sjellë fat të dyja palëve sepse rruga e tyre tashmë është shtruar me shumë punë, përkushtim dhe dashuri.

“Ishte një punë që më tërhoqi menjëherë dhe e kam realizuar me shumë dashuri. Arsyet kuptohen. Qëllimi im kryesor ishte rehatia dhe vetëvlerësim që ndjen çdo lojtar me këtë veshje, për më tepër kur është “Made in Albania”- shprehet stilisti.

Kostumet elegante në ngjyrë gri, shoqërohen nga këmisha e bardhë, kollare bordo dhe këpucë gri në tonalitet të errët.

“Më duhet të falënderoj për to (këpucët), firmën “Mici’s Shoes”, e cila është një kompani shqiptare, që ka bashkëpunuar ngushtë me ne, për të realizuar këpucët e personalizuara”- shtoi stilisti Altin Mici.

Prej shumë vjetësh Kombëtarja Shqiptare e futbollit, krahas kostumeve sportive të paraqitjes, ka patur edhe devizë civile. Por kjo është hera e parë, që gjithçka është dizajnuar dhe qepur enkas për Kombëtaren Shqiptare të futbollit. Të pakta janë ato kombëtare, të cilat devizat e tyre i kanë të dedikuara vetëm për skuadrën apo vetëm për një event, siç është Kampionati Europian.

“Sot është një ditë shumë e veçantë dhe e mbushur me ndjenja kombëtare sepse puna ime kurorëzohet duke i shërbyer kombëtares së vendit tim. Jam shumë i emocionuar”.

Në përgjithësi e ka patur të thjeshtë punën, duke njohur dhe parë elegancën e futbollistëve dhe trupin e tyre të rregullt, por veçon njërin, i cili i ka shkaktuar “vështirësi” pune dhe ky është ndihmësi i Gani de Biazit, Paolo Tramezani.

“Më shumë kam vuajtur me Tramezanin sepse ka një konstrukt shumë të formuar”- thotë Mici. Sepse edhe kur je shumë i formuar, rrobaqepësi e ka të vështirë…!

Ne i urojmë suksese djemve, dhe shpresojmë që në fushë përveçse me elegancë, të na përfaqësojnë edhe me gjunjë të fort./ E.Resuli

Marre nga Gazeta Dita

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *